ООУ „Мурат Лабуништи“ – Лабуништа, Струга / ShFK “Murat Llabunishti”, Llabunishtë, Strugë (Kimetka Ramizi)

Siguria në jetën tonë të përditshme është çelësi i mirëqenies sonë. Ne shpeshherë nuk i kushtojmë vëmendjen e nevojshme faktit se mund të ecim lirshëm dhe të sigurtë në mjedisin tonë. Liria është gjëja më e rëndësishme në jetën e përditshme, ajo për të cilën bëhen dhe janë bërë luftëra të shumta në botë.

Gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore bota pësoi humbje të mëdha si në njerëz ashtu edhe në shkatërrime marramendëse të të mirave materiale. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore do të formohet një Aleancë me qëllim që ta mbrojë botën nga të këqijat, nga luftërat dhe mospajtimet e shteteve.

Pikërisht për këtë qëllim, më 4 prill të vitit 1949  u themelua Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut, e njohur botërisht me emrin NATO, me qendër në Bruksel. Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – shkurt OTAV (anglisht: NATO – North Atlantic Treaty Organisation) është Pakt i 29 vendeve nga Amerika Veriore dhe Evropa. Në zanafillë Traktatin e nënshkruan 12 shtete: Belgjika, Holanda, Franca, Luksemburgu, Britania e Madhe, Danimarka, Islanda, Italia, Norvegjia, Portugalia, ShBA-ja dhe Kanadaja. Në periudhën e mëvonshme Atlantikut të Veriut iu bashkëngjitën edhe shumë shtete të tjera.

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut ose NATO-ja është themeluar për të garantuar lirinë dhe sigurinë e anëtarëve të saj, zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, parandalimin e konflikteve si dhe mbrojtjen ushtarake kolektive të shteteve anëtare të saj.

Organizata ka krijuar një sistem mbrojtjeje kolektive meqë vendet anëtare kanë rënë në ujdi të mbrojnë njëra-tjetrën në rast sulmi nga një armik i jashtëm. Të gjitha vendet anëtare të NATO-s pranojnë faktin se një sulm i armatosur ndaj njërit anëtar të Organizatës, nënkuptohet edhe si sulm ndaj të gjitha anëtareve sepse ato kanë për detyrë ta mbrojnë cilindo vend anëtar. Thjesht, roli kryesor i kësaj Aleance është të ruajë lirinë e shteteve anëtare dhe të mbrojë ato edhe me anë të forcës ushtarake.

Ajo gjithashtu inkurajon këshillimin dhe bashkëpunimin edhe me vendet joanëtare të NATO-s në një shkallë të gjerë të fushave që kanë të bëjnë me sigurinë, si reformat në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjen e paqes. Nëpërmjet këshillimeve me partnerët e saj, NATO-ja kontribuon që të parandalojë konfliktet brenda dhe jashtë kufijve të vendeve anëtare. Ajo nxit vlerat demokratike dhe është e angazhuar për të zgjidhur në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet.

NATO-ja angazhohet për mbrojtjen e anëtarëve të saj nëpërmjet mjeteve politike dhe ushtarake. Ajo gjithashtu nxit bashkëpunimin dhe këshillimin me vendet që nuk marrin pjesë në të, ku trajtohen çështje të paqes dhe të sigurisë. Kjo nuk do të thotë se NATO-ja u ndihmon vetëm vendeve që janë antëtare të kësaj Aleance, por, meqë ajo është organizata më e fortë në botë, i zgjidh me sukses edhe mosmarrëveshjet e vendeve të tjera që nuk janë anëtare, që të parandalojë  luftërat e armatosura. Ajo ka për detyrë që t’u ndihmojë të gjithëve si në aspektin ushtarak ashtu edhe në fushën politikës, të ndërmjetësojë për zgjidhjen e kontesteve ndërmjet palëve në konflikt. NATO-ja në fushën politike promovon vlera dhe u mundëson anëtarëve të konsultohen dhe të bashkëpunojnë në çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë që të zgjidhin problemet, të krijojnë mirëbesim dhe për një afat të gjatë ta parandalojnë konfliktin.

Çdo vend anëtar ka një delegacion të përhershëm në selinë politike qendrore të NATO-s në Bruksel. Këshilli i Atlantikut të Veriut është organi më i lartë i saj, që kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Në Këshill shtjellohen të gjitha çështjet, problemet dhe pakënaqësitë e secilit vend anëtar. NATO-ja ka flamurin dhe stemën që simbolizojnë paqe dhe siguri.

Këto janë disa të dhëna për historikun, organizimin dhe  punën e dobishme të Aleancës, por unë si nxënëse kam disa dëshira e kërkesa që deri më tani nuk janë përmbushur nga Aleanca, edhe pse mendoj se ajo duhej të reagonte në shumë konflikte e luftëra.

Njëra nga to është lufta në Siri, e cila po zgjat me vite, por askush nuk ndërmerr masa për ta ndërprerë këtë. Pse nuk ndërmerren masa për ndërprerjen e saj?

Pyetja lidhur me konfliktin që ka nisur gati para shtatë vitesh dhe si duket do të vazhdojë edhe mëtej, sigurisht se ka një ose disa përgjigje.

Një konflikt i gjatë, mijëra viktima, diplomacia që nuk arrin të gjejë një zgjidhje, shumë aktorë dhe faktorë në skenë.

Lufta siriane është një katastrofë që po zhvillohet pandërprerë dhe ka përfshirë pothuajse tërë botën. Disa vende po reagojnë ndaj këtij konflikti, i cili ka përfshirë shumë njerëz anembanë botës. Por, si ka mundësi që për këtë konflikt të mos reagojë Aleanca më e madhe, e cila ka për qëllim kryesor mdërprerjen e luftërave dhe zgjidhjen e problemeve në mënyë paqësore? Kjo është një çështje brengosëse e shqetësuese për gjithë njerëzimin. A do të ndërpritej konflikti nëse do të përfshihej NATO-ja në zgjidhjen e saj?

Lufta siriane duhet gjithsesi të përfundojë. Çdo ditë atje po bëhen masakra, dhuna çnjerëzore. Vdesin një numër i madh i popullsisë dhe për këtë askush nuk ndërmerr masa. Shumëkush vritet, maltretohet, dhunohet, persekutohet, ekzekutohet, zhduket, shfaroset … Nuk janë të vetëdijshëm se jeta e njeriut është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, çdo njeri ka të drejtë lirie dhe duhet të jetojë.

Duam dhe lutemi që të mos ketë katastrofa civile e shkatërrime qytetesh. Tymi rrënojave, i armëve, i predhave dhe i bombave na e ndotin ajrin, na e prishin mjedisin jetësor, shkatërrojnë kushtet për jetesë. Sasia e ujit të pastër sa vjen e po zvogëlohet, bota bimore e shtazore po rrezikohet e të zhduket, ajri po ndotet etj. Këto të këqija të mëdha, të dëmshme, të padëshiruara, vetëshkatërruese duhet doemos të pengohen e të ndërpriten. Për të gjitha këto të këqija fatale fajtor i vetëm është njeriu. 

Parandalmi i faktorëve që rrezikojnë jetën tonë është gjëja më e rëndësishme për njerëzimin. Ne të gjithë duhet të angazhohemi, shpresojmë dhe besojmë se këto gjëra që shkatërrojnë jetën në tokë si dhe planetin tonë do të pakësohen e ndërpriten në të ardhmen.

Ta ruajmë mjedisin dhe planetin tonë, ta mbushim atë me paqe, mirëqenie, lumturi, harmoni, dashuri dhe siguri! Ne nuk kemi planet tjetër rezervë.

 

Punoi: Kimetka Ramizi

Mentor: Besart Bojku

ShFK “Murat Llabunishti”, Llabunishtë, Strugë

Leave a comment